Ushtria izraelite arrestoi 11 palestinezë, përfshirë një ish-ligjvënës nga Kudsi dhe ish-të burgosur, gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor të pushtuar sot herët, njoftoi një grup palestinez për të drejtat e njeriut.
Zyra Mediatike e të Burgosurve Palestinezë, një organizatë joqeveritare, deklaroi se forcat izraelite arrestuan pesë palestinezë gjatë bastisjeve në zona të ndryshme të Nablusit, në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar. Mes 11 të ndaluarve janë edhe ish-ligjvënësi nga Kudsi, Ahmad Atoun, 58 vjeç, i cili më parë ishte dëbuar me forcë nga qyteti.
Atoun u arrestua pasi forcat izraelite bastisën shtëpinë e tij në qytezën Beit Sahour, në jug të Kudsit Lindor të pushtuar, bëri të ditur organizata. Dy palestinezë të tjerë u arrestuan gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre në qytezat Tuqu dhe Harmala, në provincën e Betlehemit ndërsa tre të tjerë u ndaluan në provincën e Jeninit, shtoi organizata.
Sipas organizatës, shënjestrimi i ish-të burgosurve dhe i ligjvënësve nga Kudsi është pjesë e një politike izraelite për të ndjekur figurat kombëtare palestineze dhe për të zgjeruar arrestimet e bastisjet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
- Okupuesit izraelitë i vënë zjarrin një automjeti palestinez
Në një incident tjetër, Organizata për të Drejtat e Njeriut "Al-Baidar" njoftoi se okupuesit izraelitë i vunë zjarrin një automjeti që i përkiste palestinezit Hamza Saad al-Tamr Qatash, në qytezën Beita në jug të Nablusit. Organizata tha se autorët u larguan pasi i vunë zjarrin automjetit, duke e shkatërruar atë plotësisht. Nuk raportohet për të lënduar.
Sipas organizatës, Beita është përballur vazhdimisht me sulme nga okupuesit izraelitë, të cilët kanë shënjestruar shtëpitë, pronat dhe infrastrukturën palestineze. Bastisjet e ushtrisë izraelite dhe sulmet nga okupuesit kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar janë intensifikuar që kur Izraeli nisi luftën në Gaza në tetor të vitit 2023.
Institucionet palestineze kanë dokumentuar mbi 26 mijë arrestime në Bregun Perëndimor të pushtuar midis tetorit 2023 dhe fillimit të tetorit 2024, përfshirë gra dhe fëmijë. Kjo shifër përfshin palestinezë që janë liruar më pas. Palestinezët kanë paralajmëruar se sulmet janë pjesë e përpjekjeve për t'i hapur rrugën Izraelit që të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke minuar perspektivat për shtet të pavarur palestinez, në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së.















