Në Shqipëri vazhdon në ditën Konferenca e Investimeve Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, e cila ka mbledhur zyrtarë, investitorë dhe sipërmarrës nga BE-ja dhe vendet e rajonit.
Pjesë e konferencës sot ishte edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili në fjalën e tij u fokusua në potencialin e rajonit për të kontribuar në konkurrueshmërinë ekonomike, sigurinë energjetike dhe forcimin e zinxhirëve evropianë të furnizimit.
Ministri Hoxha theksoi se zgjerimi i BE-së dhe integrimi ekonomik duhen trajtuar së bashku. "Evropa është investimi jonë më i madh. Jo vetëm për ne, por edhe për Evropën aksesi është shumë i rëndësishëm. Ballkani Perëndimor mund të ofrojë të gjithë këto gjera të rëndësishme. Integrimi evropian dhe zgjerimi nuk mund të jenë dy biseda të ndryshme. Zgjerimi dhe integrimi ekonomik duhen trajtuar së bashku", tha Hoxha.
Ai tha se anëtarësimi në BE nuk është një ceremoni diplomatike në fund të një rruge të gjatë, por sipas tij është një transformim ekonomik që po ndodh ditë pas dite.
Duke theksuar se çdo reformë ka çmimin e vet, por edhe përfitimet si dhe kanë si objektiv t'i përmbyllin negociatat deri në fund të vitit 2027, Hoxha tha: "Rruga drejt Bashkimit Evropian është shpejtuar shumë. Shqipëria përpara ca vitesh nuk kishte hapur asnjë kapitull, ne i kemi hapur të 33 tani".
"Ne jemi gjashtë tregje të vogla dhe së bashku ne përbëjmë një mundësi serioze të madhe. Ne ecim në të njëjtën rrugë, do të udhëtojmë së bashku. Koha për të investuar në Ballkan dhe në Shqipëri është sot", theksoi kryediplomati i Shqipërisë.
Hoxha shtoi se janë plotësisht të harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.
- Konferenca mbahet në një moment përcaktues për Evropën
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila theksoi se konferenca mbahet në një moment përcaktues për Evropën.
Ajo tha ndër të tjera se zgjerimi i BE-së dhe konkurrueshëmria nuk janë dy agjenda të ndryshme, por sipas saj janë ambicie evropiane të përbashkëta për të ndërtuar një Evropë më të fortë.
Konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, organizohet nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë, me mbështetjen e Komisionit Evropian, duke bërë bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane, investitorë, sipërmarrës dhe aktorë të ekonomisë nga i gjithë rajoni.
Diskutimet në disa panele përqendrohen te mobilizimi i investimeve, financimi i sipërmarrjeve inovative, infrastruktura digjitale dhe potenciali i sektorit të shërbimeve.
Sipas autoriteteve shqiptare, kjo konferencë krijon mundësi konkrete për të afruar kapitalin evropian me tregjet e Ballkanit Perëndimor.
Në fund të konferencës, fjalët përmbyllëse pritet të mbahen nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe komisionerja për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos.















