Refuzimi i Bashkimit Evropian (BE) ndaj një projekt-marrëveshjeje në Samitin e OKB-së për klimën COP31 në Türkiye, për shkak të mungesës së formulimeve të qarta për kalimin nga karburantet fosile, ndërkohë që po lëviz për të shtyrë zbatimin e rregullave të veta për emetimet e metanit, ka nxjerrë në pah tensionet brenda bllokut lidhur me politikën klimatike.
Teksti përfundimtar i kompromisit, i hartuar pas përpjekjeve intensive diplomatike të Türkiyes dhe Australisë, nuk arriti të sigurojë miratimin për shkak të kundërshtimeve të BE-së dhe disa vendeve të tjera. BE-ja kundërshtoi projekt-vendimin për shkak se atij i mungonin formulimet e qarta për kalimin nga karburantet fosile.
Meqenëse vendimet në konferencat klimatike të OKB-së miratohen me konsensus, kundërshtimi i bllokut evropian ishte një nga faktorët që penguan arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike. Kundërshtimi i Arabisë Saudite dhe i disa vendeve të tjera prodhuese të naftës ndaj përfshirjes së formulimeve për karburantet fosile gjithashtu i ndërlikoi përpjekjet për arritjen e konsensusit.
BE-ja e gatshme të pranojë edhe mungesën e marrëveshjes
Më 21 nëntor, komisioneri evropian për klimën, Wopke Hoekstra, teksa negociatat ishin ende në zhvillim, u tha gazetarëve se blloku do të pranonte ose një marrëveshje të mirë ose mungesën e një marrëveshjeje. Komisioni Evropian pas konferencës tha se BE-ja kishte vendosur të tërhiqej nga negociatat pasi ishin zbehur perspektivat për sigurimin e një teksti më të mirë.
Komisioni argumentoi se nuk mund të mbështeste një vendim që e paraqiste përdorimin e karburanteve fosile si miqësor ndaj mjedisit. Kundërshtimi i Arabisë Saudite ndaj kompromisit dhe qëndrimi gjithnjë e më i vendosur negociues i BE-së ishin ndër faktorët që penguan e një marrëveshjeje.
BE-ja pajtohet të shtyjë për dy vjet zbatimin e disa rregullave për metanin
Derisa kërkonte formulime më të forta për kalimin nga karburantet fosile në COP31, BE-ja ndërmori hapa për të shtyrë zbatimin e disa kërkesave për emetimet e metanit në vendet e saj, duke përmendur shqetësimet për sigurinë energjetike.
Më 19 nëntor, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së arritën një marrëveshje të përkohshme, ndërsa negociatat në Antalya ishin ende në zhvillim, për të shtyrë me dy vjet zbatimin e disa rregullave për emetimet e metanit. Sipas marrëveshjes, kërkesat për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të metanit për importuesit e naftës bruto, gazit natyror dhe qymyrit do të zbatohen nga 1 janari i vitit 2029, në vend të 1 janarit të vitit 2027.
Kërkesat për raportimin e intensitetit të metanit për importuesit dhe prodhuesit në BE gjithashtu do të shtyhen nga gushti i vitit 2028 në gusht të vitit 2030. Komisioni Evropian tha se shtyrja synonte të parandalonte rreziqe shtesë për sigurinë e furnizimit me energji, duke përmendur presionin mbi tregjet globale të energjisë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Tensionet mes sigurisë energjetike dhe ambicieve klimatike
Qëndrimi i vendosur i BE-së për kalimin nga karburantet fosile në negociatat ndërkombëtare për klimën ka tërhequr vëmendjen drejt politikave që ajo ndjek për të garantuar sigurinë e saj energjetike. Zhvillimet gjeopolitike, ndërprerjet e furnizimit me energji, kostot e larta të energjisë dhe sfidat ndaj konkurrueshmërisë së industrisë evropiane po ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh mbi politikat klimatike të bllokut.
Nevoja e Evropës për të rimbushur rezervat e naftës dhe gazit natyror, për të mbajtur në funksion rafineritë dhe për t'u mbështetur në termocentralet me qymyr dhe gaz nxjerr në pah tensionet mes objektivave të saj klimatike dhe prioriteteve të sigurisë energjetike.
Debatet për rritjen e prodhimit të brendshëm të naftës dhe gazit natyror vazhdojnë gjithashtu në disa vende evropiane. Gatishmëria e bllokut për të futur fleksibilitet në politikat e veta klimatike në përgjigje të nevojave ekonomike dhe strategjike, ndërkohë që kërkon angazhime më të forta nga vendet e tjera, ngre pikëpyetje lidhur me qëndrueshmërinë e qasjes së tij.
Hezitimi i BE-së për financim shtesë të klimës
Hezitimi i BE-së për të mbështetur kërkesat e vendeve në zhvillim për financim shtesë të klimës përpara COP31 tërhoqi gjithashtu vëmendjen drejt prioriteteve të bllokut në diplomacinë klimatike. Rritja e shpenzimeve publike dhe presionet buxhetore kishin shtuar pritshmëritë se BE-ja do të kundërshtonte angazhimet e reja për financimin e klimës.
Thirrjet e Evropës për objektiva më të forta globale klimatike, të shoqëruara me hezitimin për të marrë përsipër detyrime të tjera financiare për të përmbushur nevojat e vendeve në zhvillim, përbënin një tjetër pikë mospajtimi në negociatat për klimën.
Varësia e vazhdueshme afatshkurtër e BE-së nga nafta, gazi natyror dhe qymyri thekson ndikimet e mundshme që angazhimet e reja ndërkombëtare për karburantet fosile mund të kenë në politikat e saj energjetike. Përpjekjet e bllokut për të siguruar furnizimin me karburante fosile, ndërkohë që mbështet një kalim më të fuqishëm global larg tyre, nxjerrin në pah kërkesat konkurruese mes ambicieve të tij klimatike dhe interesave ekonomike.















