Türkiye kundërshtoi të enjten një rezolutë të Parlamentit Evropian lidhur me marrëveshjen e vitit 2019 me Libinë për përcaktimin e kufijve detarë, duke deklaruar se BE-ja nuk ka kompetencë për çështje të tilla.
“E kundërshtojmë rezolutën e miratuar në seancën e sotme plenare të Parlamentit Evropian (26 nëntor) lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit për Përcaktimin e Zonave të Juridiksionit Detar, të cilin e nënshkruam me Libinë në vitin 2019, e cila përmban pretendime të njëanshme dhe të pabazuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.
Ministria theksoi se BE-ja nuk ka kompetencë për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar, duke vënë në dukje se kjo ishte konfirmuar edhe nga një vendim i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.
Ajo kritikoi Parlamentin Evropian për miratimin e rezolutave të motivuara politikisht, të cilat shpërfillin të drejtën ndërkombëtare nën pretekstin e solidaritetit mes shteteve anëtare, duke i cilësuar këto përpjekje si të kota.
“Paqja dhe stabiliteti në Mesdheun Lindor do të jenë të mundura përmes qasjeve që u japin përparësi dialogut, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, respektit dhe bashkëpunimit”, thuhet në deklaratë.
Ministria shtoi se pret që zyrtarët e BE-së të ndjekin një qasje të tillë.















