Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Mianmarin ka arritur në 3.600, ndërsa ekipet e kërkimshpëtimit vazhdojnë të gjejnë trupa të pajetë, njoftoi të hënën Ekipi Informativ i Këshillit të Administratës Shtetërore.
Tërmeti me magnitudë 7,7 i 28 marsit plagosi gjithashtu 5.017 persona, ndërsa 160 të tjerë janë ende të zhdukur, sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua.
Ndërkohë, përpjekjet humanitare në Rajonin Sagaing po përballen me pengesa të mëdha, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit nuk mund të avancojnë pa miratimin e regjimit ushtarak.
Sipas Myanmar Now, viktimat e tërmetit në Mianmar po mbështeten në ekipe lokale të emergjencës të udhëhequra nga organizata jofitimprurëse për kërkim dhe shpëtim.
Qeveria e Mianmarit tha se tërmeti, i cili shkaktoi dëme të mëdha, ka rezultuar në të paktën 693 viktima vetëm në Rajonin Sagaing.
Numri i viktimave vazhdon të rritet, pasi operacionet e shpëtimit po vonohen për shkak të mungesës së makinerive të rënda dhe një reagimi të ngadaltë për banorët e bllokuar nën rrënoja.
“Misionet e shpëtimit po bëhen vetëm me punë fizike, sepse nuk ka makineri të rënda, si ekskavatorë, për të pastruar rrënojat”, tha një banor i Sagaing për Myanmar Now. “Si rezultat, shumë njerëz humbën jetën në mënyrë të panevojshme.”
Për më tepër, ekipet vullnetare të shpëtimit detyrohen të marrin leje nga regjimi ushtarak duke dorëzuar detaje të tilla si adresa e ndërtesës së prekur, në një zyrë të juntës që mbikëqyr operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas Myanmar Now.























