Pas gati nëntë vite e gjysmë burg, Izraeli të enjten liroi të burgosurin palestinez Ahmed Manasra, i cili u arrestua kur ishte vetëm 13 vjeç.
“Manasra shërbeu nëntë vjet e gjysmë në burgjet izraelite ku iu nënshtrua maltretimeve dhe torturave”, tha avokati i tij Khaled Zabarqa.
Ai vuri në dukje se autoritetet izraelite të burgut e liruan Manasrën larg burgut, ndërsa familja e tij priste jashtë burgut që ai të largohej.
Një kalimtar e gjeti Manasrën në rajonin Beersheba të Izraelit jugor dhe kontaktoi familjen e tij, e cila më vonë u bashkua me të, tha avokati.
"Familja ishte duke pritur jashtë burgut Nafha në jug, por ai u lirua në një vend të largët", tha Zabarqa, duke sugjeruar se masa kishte për qëllim t'i mohonte atij një pritje festive.
Izraeli e arrestoi Manasrën më 12 tetor 2015, pasi dyshohet se kishte planifikuar të godiste me thikë një kolon të paligjshëm në vendbanimin Pisgat Ze'ev në veri të Jerusalemit (Kudsi). Ai mori 12 vjet burg.
Policia vrau kushëririn e tij 15-vjeçar Hasan Manasra, i cili ishte me të në atë moment.
"Ai hyri në burg si fëmijë, duke u përballur me një botë brutale. Ai humbi fëmijërinë e tij. Ai hyri me 13 dhe doli në 23 vjet," tha avokati Zabarqa.
Ai akuzoi autoritetet izraelite se e trajtojnë Manasrën "jo si një fëmijë ose sipas ligjeve për të miturit, por me racizëm të pastër".
Vuajtja e Manasrës "ishte e madhe, por ai triumfoi, duke ekspozuar politikat dhe vlerat e rreme izraelite", vazhdoi Zabarqa.
Të mërkurën, zyrtarët izraelitë thirrën babanë e Manasras, duke ndaluar festimet, tubimet publike ose intervistat në media.
Ata gjithashtu thirrën Manasrën për t'u marrë në pyetje të enjten më vonë në qendrën e marrjes në pyetje Moskobiyya në Jerusalemin Perëndimor për arsye të panjohura, tha avokati.
"Manasra duroi kushte jashtëzakonisht të vështira, por kjo nuk ndikoi në gjykatat izraelite, të cilat injoruan psikikën dhe fëmijërinë e tij. Mund të themi se fëmijëria e Manasrës u vra", tha Zabarqa.
Një video e marrjes në pyetje të tij në vitin 2015 është bërë publike, ku shihet 13-vjeçari Manasra duke qarë, duke thënë "Nuk jam i sigurt" dhe "Nuk më kujtohet" ndërsa një hetues izraelit i bërtet dhe e kërcënon.























