Piktori italian që fiksoi vitet e fundit të Perandorisë Osmane
TÜRKİYE
6 minuta leximi
Piktori italian që fiksoi vitet e fundit të Perandorisë OsmaneFausto Zonaro mbërriti në Istanbul në vitin 1891 me pak para dhe me një pasion për qytetin. Më vonë u bë piktori i fundit zyrtar i oborrit të Perandorisë Osmane, duke dokumentuar historinë, traditat dhe jetën e përditshme të saj.
Piktori italian që fiksoi vitet e fundit të Perandorisë Osmane / TRT World via AI
 

Kur piktori italian Fausto Zonaro hipi në një anije drejt Istanbulit në vitin 1891, ai udhëtonte në klasën e tretë. Kur mbërriti në qytet, ishte zhvendosur në klasën e parë, një gjest vlerësimi nga kapiteni i anijes, portretin e të cilit Zonaro e kishte pikturuar gjatë udhëtimit.

Artisti mbërriti në kryeqytetin osman me pak para, pa e ditur se qyteti do të bëhej shtëpia e tij për 19 vitet e ardhshme dhe se do të shërbente përfundimisht si piktori i fundit zyrtar i oborrit të perandorisë.

Pikturat e tij do të ofronin një pamje të dekadave të fundit të Perandorisë Osmane, duke kapur jo vetëm jetën ushtarake dhe ceremoniale të pallatit, por edhe zakonet, festimet fetare dhe profesionet e përditshme të banorëve të Istanbulit.

I lindur në Itali në vitin 1854, Zonaro punoi me babanë e tij si murator përpara se të ndiqte interesin e tij për pikturën. Studioi në një shkollë teknike në Lendinara dhe më vonë mori formim artistik në Accademia Cignaroli në Verona dhe në Accademia di Belle Arti di Roma.

Udhëtimi i tij artistik e çoi përfundimisht në Paris, por Istanbuli ia pushtoi imagjinatën.

Fatma Urekli, profesoreshë në Departamentin e Historisë në Universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan", thotë se si ndikimet letrare, ashtu edhe rrethanat personale e tërhoqën piktorin italian drejt kryeqytetit osman.

"Zonaro padyshim kishte një pasion për Istanbulin. Kujtimet për Istanbulin të Pierre Lotit, Théophile Gautierit dhe Edmondo de Amicisit, së bashku me dëshirën për të dalë nga vështirësitë financiare dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, luajtën një rol të madh në formësimin e interesit të tij për qytetin", shprehet profesoreshq Urekli për TRT World.

Gjetja e vendit të tij në Istanbul

Zonaros i ndihmoi Elisabetta Pante, e njohur si Elisa, e cila kishte mbërritur në Istanbul dy muaj para tij dhe që më vonë do të bëhej gruaja e tij. Ai e nisi jetën e re në një dhomë të vogël me dritare të dalë (erker) në një nga shtëpitë prej druri në qendër të qytetit.

Ndërsa ndërtonte gradualisht një rreth të njohurish, edhe fitimet modeste nga shitja e pikturave të para i sollën gëzim të madh.

Miku i tij i ngushtë Attilio Centelli e përshkroi dikur si "atë të çmendur të dashur që e konsideron gjithë botën shtëpinë e tij, e mban shtëpinë në shpinë dhe e ruan pasurinë në kokë", një përshkrim që sipas Ureklit kap shpirtin e tij të shqetësuar dhe produktiv.

Fati i Zonaros ndryshoi kur puna e tij tërhoqi vëmendjen e pallatit osman.

Pas vdekjes së ish-piktorit të oborrit, Luigi Acquarone, Zonaro u emërua piktor i oborrit më 17 prill 1896, pasi piktura e tij "Regjimenti i Kalorësisë Ertuğrul" fitoi admirim, thotë Urekli.

Piktura e tij e radhës, "Sulmi" (Hücum), i siguroi një shtëpi që mund ta përdorte si banesë dhe si studio.

"Fakti që një shtetas i huaj arriti titullin Ressâm-ı Hazret-i Şehriyârî (Piktor i Madhërisë së Tij Perandorake) në pallatin osman tregon se ai fitoi një vend të rëndësishëm në dinamizmin kulturor të kohës", thotë Urekli.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Elisa luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e punës së Zonaros dhe në ndihmën për ta çuar atë te audienca përtej Perandorisë Osmane.

"Ndihmësi dhe mbështetësi më i ngushtë i Zonaros ishte padyshim gruaja e tij, Elisa. Ajo i dha artistit mbështetje morale duke i siguruar një ambient pune të rehatshëm dhe të qetë në shtëpi", thotë Urekli.

Pasi kishte përfunduar një kurs gjashtëmujor fotografie në Paris, Elisa fotografonte pikturat e burrit të saj dhe u kujdesej që ato të botoheshin në revista evropiane, mes tyre Die Illustrierte Zeitung dhe Barcelona Cómica.

Puna e saj ndihmoi që pikturat e Zonaros të njiheshin nga një audiencë më e gjerë evropiane.

Megjithëse i lindur dhe i rritur në Itali, Zonaro zhvilloi një interes të thellë për historinë dhe kulturën osmane, i pasqyruar në larminë e temave që pikturoi gjatë viteve në Istanbul.

Pikturat e tij ushtarake dhe historike, mes tyre "Regjimenti i Kalorësisë Ertuğrul" dhe "Sulmi" (Hücum), ishin rezultat i përgatitjes së gjerë, i skicave të hollësishme dhe i vëzhgimit të kujdesshëm.

Regjimenti i Kalorësisë Ertuğrul, i emërtuar sipas Osman Beut, themeluesit të Perandorisë Osmane, shërbente si garda personale e sulltanit.

Çdo të premte, Sulltan Abdylhamidi II merrte pjesë në një ceremoni të shoqëruar nga regjimenti. Zonaro i vëzhgoi këto ceremoni ndërsa përgatiste atë që do të bëhej një nga pikturat e tij më të njohura.

"Zonaro e pikturoi veprën e tij që paraqet kalimin e Regjimentit të Kalorësisë Ertuğrul duke u bazuar në vëzhgim të drejtpërdrejtë. U përgatit për një kohë të gjatë, jo nga fotografitë, por duke marrë shënime nga përshtypjet e gjalla", thotë Urekli.

Elisa e ndihmoi edhe atë gjatë përgatitjes së pikturës, e cila kërkonte vëmendje të madhe për çdo gjë, nga numri i kopsave në uniformat e ushtarëve deri te ritmi i ecjes së kuajve.

"Punova kaq me përpikëri", kujtonte Zonaro, sipas Ureklit.

Përtej ceremonive ushtarake dhe ngjarjeve historike të lidhura me pozitën e tij si piktor i oborrit, Zonaro tërhiqej edhe nga jeta e përditshme e Istanbulit dhe nga traditat që do të zhdukeshin gradualisht.

Temat e tij përfshinin zjarrfikësit, shkruesit publikë të kërkesave, shitësit ambulantë, si dhe festimet fetare të vëzhguara nga komunitetet myslimane dhe jomyslimane të qytetit.

"Ai reflektoi gjithçka ashtu siç ishte. Kjo pikë është shumë e rëndësishme! Bashkësia ndërkombëtare e njohu më mirë Perandorinë Osmane përmes penelit të tij", thotë Urekli.

"Më lejoni ta them nga këndvështrimi i një historiani: në veprat e tij shohim zakonet dhe traditat e Istanbulit që janë lënë në raftet e pluhurosura të historisë."

Për historianët, piktura të tilla si "Shkruesit e kërkesave" (Arzuhalciler), "Zjarrfikësit" (Tulumbacılar) dhe "Pamje e Bosforit nga Kandilli" ofrojnë regjistrime vizuale me vlerë të shoqërisë osmane.

Pikturat e tij historike, mes tyre "Sulmi" (Hücum), si dhe portretet e Sulltan Mehmet Çlirimtarit, pasqyrojnë gjithashtu interesin e tij për të kaluarën e perandorisë.

Sipas Urekli, Zonaro ishte piktori i vetëm i njohur që ka pikturuar një portret të Sulltan Abdylhamidit II gjatë mbretërimit të tij 33-vjeçar.

Largimi nga Istanbuli

Karriera e Zonaros në pallatin osman përfundoi pas shkarkimit të Sulltan Abdylhamidit II në vitin 1909.

Në vitin 1910, pas 19 vjetësh në Istanbul, ai u kthye në Itali. Por largimi i tij nuk i dha fund lidhjes së tij artistike me qytetin.

Për një farë kohe pas kthimit, Zonaro vazhdoi të pikturonte skena të Istanbulit, duke punuar nga fotografitë që Elisa kishte bërë gjatë viteve të tyre në kryeqytetin osman.

Ai vdiq në Sanremo të Italisë në vitin 1929, duke lënë pas një koleksion pikturash që vazhdon të ofrojë njohuri për njerëzit, zakonet dhe jetën e përditshme të Perandorisë Osmane në dekadat e saj të fundit.