Izraeli raportoi sulme të reja me raketa nga Hezbollahu të martën, një ditë pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse që vranë rreth 500 njerëz në Liban.
Channel 12 izraelit tha se 50 raketa u lëshuan nga Libani drejt vendbanimit Kiryat Shmona në rajonin e Galilesë. Të paktën 10 raketa u hodhën gjithashtu në qytetin verior të Haifës.
Disa shtëpi në Kiryat Shmona u dëmtuan nga breshëria e raketave, njoftoi Radio Ushtria e Izraelit.
Shërbimi izraelit i ambulancës Magen David Adom tha se të paktën një person u plagos lehtë nga gjuajtja me raketa në rajonin e Galilesë.
Hezbollahu, nga ana e tij, tha se goditi me raketa disa instalime ushtarake në veri të Izraelit, duke përfshirë dy fusha ajrore dhe një fabrikë eksplozivi.
Grupi tha se sulmet me raketa ishin në mbështetje të "popullit palestinez në Gaza dhe rezistencës së tij të guximshme" dhe në mbrojtje të Libanit.
Izraeli nisi sulmet ajrore vdekjeprurëse në Liban të hënën, duke vrarë të paktën 492 njerëz, duke përfshirë 35 fëmijë, dhe duke plagosur 1.645 të tjerë, ndërsa mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë të përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.400 njerëz, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor 7 vitin e kaluar.
Forcat izraelite intensifikuan sulmet e tyre në Liban, duke injoruar paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar se ata do të rrezikonin përhapjen e konfliktit të Gazës në rajone të tjera.















