RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria synon të bëhet qendër e besueshme e për industrinë e mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë tha ndër të tjera se Shqipëria po ecën me vendosmëri duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke rigjallëruar bazat industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me kriteret e NATO-s dhe BE-së.
Shqipëria synon të bëhet qendër e besueshme e për industrinë e mbrojtjes
Shqipëria synon të bëhet qendër e besueshme e për industrinë e mbrojtjes / AA
10 orë më parë

Në Tiranë po mbahet Konferenca e 28-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës ShBA - Karta e Adriatikut (A-5), me pjesëmarrjen edhe të komandantit Suprem të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneral Alexus G. Grynkewich.

Fokusi i punimeve të konferencës është forcimi i rolit të vendeve të Kartës së Adriatikut si dhe krijimi i hapësirave të reja për thellimin e bashkëpunimit ushtarak rajonal, sipas autoriteteve shqiptare, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili në fjalën e tij theksoi se Karta e Adriatikut ka lindur nga vizioni i bashkëpunimit dhe stabilitetit. Ai tha se kanë si qëllim që ta pozicionojnë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes.

"Parimet e saj (të A-5) mbeten të pandryshuara për një mjedisi strategjik që ndryshon me shpejtësi. Ne duhet të përshtatemi dhe të ripërtërimë misionin e saj. Për Shqipërinë, karta (A-5) nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, pasi kemi shumë, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive. Me pjesëmarrjen e ShBA-së e bën atë një iniciativë shumë të rëndësishme", tha Vengu.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë ka shtuar se vendimet e marra në samitin NATO-s në Hagë iu japin një mundësi unike për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi, sipas tij, për sigurinë rajonale dhe për të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe BE-së.

Vengu tha ndër të tjera se Shqipëria po ecën me vendosmëri duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke rigjallëruar bazat industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me kriteret e NATO-s dhe BE-së.

"Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të busueshme për industrinë e mbrojtjes", u shpreh ministri Vengu.

Shqipëria, Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut), Kroacia dhe ShBA-ja, nënshkruan në maj 2003 "Kartën e Adriatikut", që kishte si synim të promovonte dhe fuqizonte bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, por edhe të rriste ndërveprimin dhe adoptimin e standardeve, nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive. Në dhjetor 2008, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina iu bashkuan zyrtarisht nismës, duke shndërruar iniciativën në A-5.

Sipas autoriteteve shqiptare, konferenca që përfundon nesër do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për të analizuar arritjet e deritanishme të Iniciativës A-5, për të mbështetur vendet aspirante dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit ushtarak.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë