Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është pritur në një takim nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Hungari.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar se shprehu vlerësimin për mbështetjen e Hungarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), sipas tij, një integrim që "forcon sigurinë tonë të përbashkët”.
Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se biseda mes presidentit Begaj dhe kryeministrit Orban u fokusua në intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve si "aleate në NATO dhe së shpejti në BE".
"Dy liderët u fokusuan edhe në situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar se anëtarësimi i rajonit në BE rrit më tej sigurinë në rajon, por edhe në vetë BE-në. Presidenti Begaj theksoi se faktori shqiptar në rajon është bashkëpunues dhe evropianist", thuhet në njoftim.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sipas njoftimit, u theksua se investimet e rëndësishme që janë kryer në sektorin bankar, telekomunikacion dhe transportin ajror janë kthyer në një sukses për investitorët dhe Shqipërinë.
"Në takim u bisedua edhe për rritjen e ndjeshme të vizitorëve hungarezë në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimit u vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe ajo hungareze edhe në fusha të tjera, si drejtësia, bujqësia, arsimi, kultura dhe edukimi", thuhet ndër të tjera në njoftim.
Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari, ndërkohë u takua edhe me homologun e tij hungarez, Tamas Sulyok dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Laszlo Kover.