RAJONI
3 minuta leximi
Rubin përfundon në ditën e tretë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë
Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, mohoi se kishte dijeni se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishte polici ushtarake, derisa tha se në Kosovë nuk ka parë brigada, batalione apo njësi formale të UÇK-së.
Rubin përfundon në ditën e tretë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë
Rubin përfundon në ditën e tretë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë / AA
11 orë më parë

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka përfunduar në ditën e tretë me radhë dëshminë e tij në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve përfundoi pyetjet për ish-ndihmësin e sekretarit amerikan dhe me këtë rast përfundoi dëshmia e tij në Hagë.

Në ditën e tretë të dëshmisë, Rubin mohoi se kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake, derisa tha se në Kosovë nuk ka parë brigada, batalione apo njësi formale të UÇK-së.

“Kishin uniforma, disa kishin e disa jo, nuk i konsideronim si Polici Ushtarake”, tha ai gjatë intervistimit nga gjykatësit.

Rubin tha se gjatë periudhës së luftës ka lexuar edhe komunikata të lëshuara nga UÇK-ja.

“Kam lexuar komunikata, por i kam parë më shumë si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se që ishte”, theksoi Rubin.

Ai e pyeti nëse e dinte se ku gjendej Thaçi nga nëntori i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Rubin përsëriti se nuk dinte për lëvizjet e tij, “por besoj se kur kam folur (në telefon) ka qenë në Kosovë. Pra, në kohën e bombardimeve”, theksoi ai, duke shtuar më vonë se Thaçi “nuk ka qenë asnjë lloj komandanti kryesor”.

Gjithashtu, James Rubin, ka thënë se të martën është pyetur për veprimtarin e çështjes shqiptare Adem Demaçin, por ka harruar të cek diçka të rëndësishme rreth tij, që "ai është ekuivalenti i Nelson Mandelës".

“Dje më bëtë shumë pyetje për Demaçin dhe unë nuk u përgjigja për diçka të rëndësishme. Ky ishte një person me status në lëvizjen e tyre – është ekuivalenti i Nelson Mandelës madje, që ishte burgosur për shumë e shumë vite dhe kishte pushtet moral të jashtëzakonshëm ndaj lëvizjes për çlirim”, ka thënë ai.

Rubin është dëshmitari i parë që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e solli në seancë. Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.

Dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po mbahen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 kur edhe ishte bërë publike aktakuza ndaj tyre.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë